Transmetuar më 08-10-2026, 08:30

Athinë – Tre të rinj me origjinë shqiptare janë arrestuar në Pangrati të Athinës pas një incidenti me të shtëna të regjistruar në ambientet e përbashkëta të një pallati.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 00:50 në rrugën Vasileiou Laskou, kur një banor dëgjoi zhurmë dhe njoftoi policinë.

Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, pjesa më e madhe e personave të përfshirë ishin larguar. Megjithatë, policia gjeti tre të rinj, 18, 19 dhe 20 vjeç, të cilët dyshohet se ishin ngjitur në tarracën e pallatit në përpjekje për t’u larguar.

Sipas medias greke BusinessNews që citon noa.al, të tre janë me origjinë shqiptare dhe mbajnë dokumente identiteti greke.

Gjatë kontrollit në ndërtesë, policia gjeti në bodrum një gëzhojë dhe dy predha, ndërsa në hapësirën e pasme të pallatit u sekuestrua një pistoletë.

Ndaj 19-vjeçarit është ngritur një dosje për tentativë vrasjeje, ndërsa dy të rinjtë e tjerë hetohen për bashkëpunim.

Hetimet po kryhen nga struktura e Athinës për hetimin dhe zbardhjen e krimeve. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit