

Një ngjarje me motive xhelozie është regjistruar të martën, më 6 tetor, në Halkidha të Greqisë, ku një 37-vjeçare shqiptare dyshohet se sulmoi partneren e re të ish-bashkëshortit të saj.
Sipas mediave greke, 37-vjeçarja hyri në banesën e një 23-vjeçareje me shtetësi rumune, e cila raportohet se është partnerja aktuale e ish-bashkëshortit të saj.
Fillimisht mes dy grave shpërtheu një debat i fortë verbal, i cili shumë shpejt përfundoi në përleshje fizike.
Sipas të dhënave të hetimit policor, 37-vjeçarja kishte me vete një brisk prerës dhe gjatë konfliktit dyshohet se e përdori atë ndaj 23-vjeçares.
E reja pësoi plagë në gishtat e dorës së majtë teksa përpiqej të mbrohej.
Por episodi nuk përfundoi këtu.
37-vjeçarja e goditi 23-vjeçaren në kokë, e rrëzoi dhe e tërhoqi në dysheme, ndërsa më pas i preu me brisk një pjesë të flokëve.
Para se të largohej nga banesa, ajo i mori edhe telefonin celular 23-vjeçares.
Viktima u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Halkidhës, ku mori ndihmën e parë dhe trajtimin e nevojshëm për plagët e marra.
Policia nisi kërkimet dhe arriti të lokalizonte dhe arrestonte 37-vjeçaren shqiptare.
Ndaj saj është ngritur dosje penale dhe ajo është dërguar përpara prokurorit.
E akuzuara kërkoi dhe mori afat për t’u përgatitur për dhënien e dëshmisë së saj lidhur me ngjarjen. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






