

Pamjet e dhunës përfunduan edhe në rrjetet sociale. Tre të mitur dhe pesë prindër u arrestuan, ndërsa policia greke po heton të gjithë dinamikën e ngjarjes
Kretë – Një episod i rëndë dhune mes të miturve është regjistruar në Agios Nikolaos të Kretës në Greqi, ku një 12-vjeçar dyshohet se është goditur dhe fyer nga bashkëmoshatarë të tij, ndërsa një tjetër i mitur filmonte ngjarjen dhe pamjet u publikuan në rrjetet sociale.
Ngjarja ndodhi mesditën e 6 tetorit, jashtë ambienteve të shkollës. Sipas medias lokale Kriti360 që citon noa.al, fëmija kishte qenë më herët objekt bullizmi nga një grup nxënësish, për të cilët media vendase raportoi se ishin me origjinë shqiptare.
Fillimisht, ata dyshohet se e rrethuan djalin brenda shkollës dhe filluan ta tallnin dhe shanin. Megjithatë, incidenti nuk mbaroi me kaq. Kur mbaruan, ata ngritën pritë jashtë shkollës dhe pritën që 12-vjeçari të dilte. Vetëm 20 metra larg shkollës, e sulmuan me grushte.
Dy të mitur 12 e 13 vjeç po e rrihnin 12-vjeçarin, ndërsa një i tretë po filmonte skenën me telefonin e tij celular, duke ngarkuar pamjet në një aplikacion të rrjeteve sociale.

Policia tha se të miturit akuzohen se kanë fyer dhe goditur 12-vjeçarin, ndërsa një i tretë, grek dyshohet se ka filmuar episodin dhe e ka publikuar në një rrjet social.
Policia arrestoi tre të miturit, ndërsa në pranga përfunduan edhe pesë prindër shqiptarë, dy gra dhe tre burra, të cilët akuzohen për neglizhencë në mbikëqyrjen e të miturve.
Në total janë kryer tetë arrestime. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






