Transmetuar më 08-10-2026, 07:49

BRUKSEL, 8 Tetor 2026 – Komisioni Europian ka prezantuar një paketë të re propozimesh që parashikon forcimin e mekanizmave mbrojtës për vendet kandidate, duke përfshirë një periudhë 15-vjeçare mbikëqyrjeje të posaçme pas anëtarësimit për të parandaluar regresin demokratik dhe shkeljet e shtetit të së drejtës.

Masa synon të shmangë bllokimin e vendimmarrjes në Bashkimin Europian nga anëtarët e rinj, siç ka ndodhur në rastin e Hungarisë. Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se mekanizmi i ri do të funksionojë paralelisht me Nenin 7 të Traktatit të BE-së dhe do të mundësojë pezullimin e fondeve europiane ose të drejtës së votës për vendet që veprojnë kundër vlerave të Unionit. Përveç kësaj, shteteve të reja do t’u kërkohet të mos përdorin kërkesën për unanimitet për të bllokuar procesin e zgjerimit për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Paketa përfshin gjithashtu konceptin e "integrimit gradual", që u mundëson vendeve kandidate të përfitojnë nga programe si Erasmus+, Horizon Europe, apo tregu i përbashkët përpara anëtarësimit të plotë. Brukseli synon që këto klauzola t’i zbatojë që në fillim të muajit nëntor në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Malit të Zi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit