Transmetuar më 08-10-2026, 07:28

TIRANË, 8 Tetor 2026 – Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në një seancë plenare maratonë, e cila përmban 18 pika në rendin e ditës. Në qendër të diskutimeve parlamentare do të jenë katër interpelanca me anëtarë të kabinetit qeveritar, reforma administrativo-territoriale, si dhe ngritja e një komisioni hetimor për sektorin e mbrojtjes.

Seanca pritet të nisë me një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike. Më pas, punimet do të vijojnë me dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi, si dhe me një interpelancë tjetër të kërkuar nga deputeti Blushi me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i projektligjit "Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore", si dhe projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Ky komision do të kontrollojë ligjshmërinë e veprimtarisë së shoqërisë shtetërore "KAYO" sh.a., lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve e pajisjeve ushtarake.

Në rendin e ditës përfshihen gjithashtu ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta kufitare, ndryshimet në ligjin për sistemin bankar, mbrojtjen e mjedisit dhe pronësinë industriale, si dhe rishikimi i përbërjes së komisioneve të përhershme parlamentare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit