

Fiks Fare sjell ekskluzivisht dëshminë me zë dhe figurë të babait të Mirzeta Kashnicës, punonjëses në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është kërcënuar me jetë, pas bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme për dosjen ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Para gazetarëve të emisionit investigativ, Zaim Krasniqi (alias Dhimitër Kashnica), babai i Mirzetës, e cila është marrë e pandehur në të njëjtën dosje me ish-ministren, tregon kalvarin e gjatë të së bijës, kërcënimet me jetë si dhe vetëvrasjen e bashkëshortit të punonjëses.
Historia fillon me një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit, tunelin e Llogorasë, pjesë e aksit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën Vlorë-Sarandë. Por përpara se të bëhej realitet, projekti kaloi në dy procedura tenderimi. Tenderi i parë u hap më 11 dhjetor 2020, me një fond limit prej rreth 19.1 miliardë lekësh. Në garë morën pjesë 6 operatorë ekonomikë, por procedura u anulua në prill 2021, me argumentin se asnjë ofertë nuk ishte në përputhje me dokumentet e tenderit.
Mes ofertave ishte edhe ajo e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, rreth 140 milionë euro, e cila rezultonte oferta më e ulët. Vetëm pak muaj më vonë, më 22 qershor 2021, tenderi u rihap. Këtë herë fondi limit ishte rreth 18.9 miliardë lekë pa TVSH. Në garë u paraqitën 5 oferta dhe fitues u shpall bashkimi i kompanive turke “Intekar” dhe “ASL”, me një ofertë rreth 170 milionë euro pa TVSH. Pikërisht kjo procedurë është sot objekt i hetimit të SPAK.
Sipas SPAK, zonja Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar procedurën nga faza përgatitore deri te lidhja e kontratës. Ndërsa pesë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave ishin Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica. Të gjithë janë marrë të pandehur për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. SPAK pretendon se fituesi ishte paracaktuar dhe se kompanisë fituese iu krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta.
Por, në këtë histori, ka edhe një tjetër element. Mirzeta Kashnica, një prej anëtarëve të komisionit, në dëshminë e saj për SPAK ka deklaruar se në procedurën e parë ajo vlerësonte se “Gjoka Konstruksion” i përmbushte kriteret dhe duhej të shpallej fituese. Ajo ka deklaruar gjithashtu se më pas është vënë nën presion për qëndrimin e saj dhe për firmosjen e dokumenteve. Këto janë pretendime të pasqyruara në dëshminë e saj dhe do të duhet të vlerësohen nga drejtësia.
Por përtej dosjes dhe dokumenteve, grupi i Fiks Fare vendosi të shkojë te njerëzit që e njohin më nga afër Mirzeta Kashnicën. Te familja e saj. Dhe aty, babai i saj, u rrëfeu gazetarëve të emisionit investigativ një tjetër histori, atë të presioneve që, sipas tij, familja ka përjetuar.
“Ajo nuk firmosi për Zvërnecin, nuk firmosi për Llogoranë, nuk firmosi për Sazanin dhe për dy LOT-e sepse ishte shtatzëne. Çupën time tall ai që u hodh gjithandej në tiktok e televizor ‘e morën punonjësen e Ballukut, e ulën në karrige, i lidhën duart, i lidhën një tenije këtu (i referohet gojës) edhe i nxorën një thikë me pika gjaku’ – nëse i keni parë këto të Ramës” thotë babai.
Më tej shtoi se vajzën e ka me fatkeqësi të madhe. “Vjet i vrau veten burri! Ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Burri ishte shofer i ministrit të Brendshëm, Bled Çuçit. Në atë moment ishin edhe këto problemet me Ballukun pasi ajo firmoste e vuloste çdo gjë” vijon ai. Më tej shton se Mirzeta nuk ka firmosur asnjë gjë, nuk pranonte as dhurata, asgjë. “Kur bëri unazën e tretë, kjo ishte te komisioni që do bëhej konkurrimi. Ishin tre veta që kishin hedhur unazën e tretë. Çupa ime një vit me tabelë me çantë nëpër shi e kontrollonte andej në Yzberisht. Kontrollonte komplet linjën ku do bëhej. Edhe thotë Rama ‘kush është kjo që do bëj këtë unazën, nga është ai që ka bërë unazën e tretë? Nga Fieri – O, provincial qenka?! Çupës sime i iku truri. Dhe ajo ja mbajti këtu (vathë në vesh)” thotë më tej ai.
Më pas tregon edhe momentin që vajza e tij ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme. “Tani që doli Rama të tallej me të në televizor, mori direkt kreun e Spakut në telefon: ‘Jam Mirzeta Krasniqi, dua të të takoj patjetër’. Kjo i vajti direkt brenda pa avokat fare. ‘Bjeri çik letrat këtu – i tha – më ka bere presion’. Por, deri në atë moment, çupa ime s’kishte pranuar asnjë gjë. Mendohu mirë – i tha kreu i SPAK-ut – se kjo që thua ti që më ka bërë presion Balluku, kjo është një akuzë që ne e marrim nga rruga atë dhe e fusim brenda atë. ‘Bjere letrën këtu! – i tha vajza – Mendohu mirë! Jam menduar’ – i tha ajo – ‘përderisa erdha këtu, e kam ndarë mendjen edhe për Ramën dhe për Ballukun’” shton ai.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






