

TIRANË, 7 Tetor 2026 – Gjirokastra dhe Vlora renditen ndër rajonet me peshën më të ulët të popullsisë në moshë pune jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Europë, duke reflektuar një strukturë demografike gjithnjë e më të plakur në jug të vendit.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, vetëm 54.1% e popullsisë së Gjirokastrës dhe 54.2% e Vlorës i përket grup-moshës 20–64 vjeç. Në krahasim me të gjitha rajonet e Bashkimit Europian, vetëm 12% e tyre kanë një përqindje më të ulët se dy qarqet shqiptare. Më tej, mes 46 rajoneve të krahasuara në Ballkanin Perëndimor, Gjirokastra renditet e dytat nga fundi dhe Vlora e treta, ku vetëm Zajeçari në Serbi paraqet një nivel më të ulët me 53.5%.
Në skajin tjetër qëndron Tirana, ku 60.5% e popullsisë është në moshë pune, duke shënuar nivelin më të lartë në Shqipëri dhe duke lënë pas rajone si Beogradi apo Mali i Zi. Në shkallë vendi, popullsia 20–64 vjeç përbën 57.9% të totalit, mirëpo ndarja territoriale mbetet e fortë, me Rajonin Qendër në 59.9%, Veriun në 57.6% dhe Jugun që zbret në vetëm 55.5%.
Rënia demografike është përshpejtuar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Ndërsa në nivel kombëtar pesha e popullsisë 20–64 vjeç ra nga 61.3% në vitin 2023 në 57.9% në vitin 2025, në Jug ulja arriti në 6.2 pikë përqindje. Ndryshimin më të madh e ka regjistruar qarku i Vlorës, ku popullsia në moshë pune pësoi një rënie prej 9 pikësh përqindje brenda kësaj periudhe, e ndjekur nga Gjirokastra me një rënie prej 6.7 pikësh.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






