

TORINO, 7 Tetor 2026 – Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet mbi vrasjen e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij në rrugën "Verolengo" në Torino. Pas tre muajsh hetime, Karabinierët e Torinos kanë arrestuar ish-bashkëshorten e viktimës, Laura Bordello, 47 vjeçe, dhe partnerin e saj të ri, Duccio Fragiacomo, 52 vjeç, të cilët akuzohen për vrasje të paramenduar dhe të rënduar.
Hetimet zbuluan se çifti, i njohur në një qendër kujdesi gjatë trajtimit për depresionin, synonte të bashkëjetonte në apartamentin ku jetonte viktima, çka dyshohet se u bë shkak kryesor për krimin. Në telefonat e të dyshuarve u gjetën kërkime në inteligjencën artificiale ChatGPT mbi përdorimin e metadonit për të shkaktuar vdekjen, si dhe mesazhe ku 47-vjeçarja shprehte hapur dëshirën për të eliminuar ish-bashkëshortin.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, para sulmit përfundimtar, Fragiacomo kishte udhëtuar drejt Torinos i armatosur me thikë dhe dorezë metalike, por pa arritur të gjente banesën. Më pas, më 30 qershor, çifti e sulmoi Rrokun brenda apartamentit duke e goditur në kokë me një objekt të fortë, që dyshohet të jetë çekiç. Trupi u zbulua më 6 korrik pas alarmit të fqinjëve për erën e rëndë, ndërsa autoritetet ranë në gjurmët e autorëve përmes përgjimeve përpara se ata të realizonin planin për t’u larguar nga Italia.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






