Transmetuar më 07-10-2026, 21:10

Nis viti i ri akademik në Akademinë e Sigurisë, 390 maturantë ndjekin studimet për “Siguri dhe Hetim”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkoi studentëve dije, disiplinë dhe përkushtim, duke e cilësuar Akademinë e Sigurisë si “motorin kryesor të rigjenerimit të Policisë”

Tiranë – Në Akademinë e Sigurisë ka nisur zyrtarisht viti i ri akademik për studentët e programit Bachelor “Siguria dhe Hetimi”, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, u ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë të rinjve që kanë zgjedhur karrierën në polici.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, Hita tha se hapja e dyerve të Akademisë për maturantët ka rezultuar një vendim i duhur, duke theksuar se Policisë së Shtetit i nevojiten energjia, mentaliteti dhe fytyra e brezit të ri.

Sipas tij, interesi për Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” ka qenë i lartë gjatë tri viteve të fundit. Pas një procesi konkurrues, aktualisht janë 390 maturantë që ndjekin studimet Bachelor në këtë fakultet.

Hita u ndal edhe te zhvillimi i Akademisë së Sigurisë, duke theksuar se institucioni është tashmë i binjakëzuar dhe pjesë e bordeve të akademive prestigjioze në rajon, Europë dhe SHBA.

Ai shtoi se Akademia ka në dispozicion literaturë të akademisë italiane, si dhe ambiente e laboratorë të përshtatshëm për procesin mësimor.

Duke iu drejtuar studentëve, kreu i Policisë theksoi se karriera në këtë institucion nuk është thjesht një profesion, por një mision.

“Policia e Shtetit nuk është thjesht profesion, por është mision”, tha Hita, duke shtuar se për përmbushjen e këtij misioni duhen dije, disiplinë, përgatitje fizike, këmbëngulje dhe respekt.

Ai u kujtoi studentëve se pas tre vitesh do të jenë oficerë të Policisë së Shtetit dhe se ky titull sjell jo vetëm privilegj, por mbi të gjitha përgjegjësi ndaj qytetarëve, sigurisë dhe vendit.

Hita deklaroi se Akademia e Sigurisë do të mbetet një nga prioritetet e tij si Drejtor i Përgjithshëm, duke e cilësuar atë si “motorin kryesor të rigjenerimit të Policisë”.

Në fund, ai u bëri thirrje studentëve që të komunikojnë hapur për problematikat dhe idetë e tyre, duke i inkurajuar të përgatiten maksimalisht për rolin që do të kenë në të ardhmen. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit