Transmetuar më 07-10-2026, 20:51

TIRANË, 7 Tetor 2026 – Emisioni investigativ "Fiks Fare" ka siguruar dëshmitë e dhëna nga grupi i prokurorëve të SPAK-ut gjatë mbledhjeve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të mbajtura më 19 dhjetor 2025 dhe 23 shkurt 2026, ku u kërkua dhënia e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku.

Përfaqësuesit e SPAK-ut, të kryesuar nga drejtuesi Klodian Braho dhe prokurori i çështjes Dritan Prençi, i paraqitën Këshillit prova shkresore dhe transkripte përgjimesh që dëshmojnë për presion të ushtruar ndaj zyrtares së Ministrisë së Infrastrukturës, Mirzeta Kashnica, e cila ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Prokuroria theksoi se lënia në liri e të pandehurës Balluku përbën rrezik real për ndikimin, dëmtimin ose intimidimin e dëshmitarëve dhe provave.

Dokumentet e zbardhura përmbajnë deklaratat e plota e origjinale të bëra gjatë seancave të mbyllura të Këshillit të Mandateve:

Deklarata e prokurorit të çështjes, Dritan Prençi (19 Dhjetor 2025):

“Në kuadër të cenimit të mbledhjes së provave, por duke pasur parasysh edhe rrethanat e faktit penal, që janë rënduar, organi procedues edhe në këto momente vijon me hetimet, me mbledhjen e provave, prova shkresore dhe dëshmitarë.”

Deklarata e drejtuesit të SPAK, Klodian Braho (19 Dhjetor 2025):

“Meraku që kemi ne është që sekreti të ruhet dhe të plotësohen deklaratat.”

Deklarata e prokurorit Dritan Prençi (23 Shkurt 2026):

“Në vijim të hetimit, ka rezultuar se, e pandehura Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi i procedurës, ndërkohë që ushtronte detyrën si zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim penal, konkretisht; shtetases Mirzeta Kashnica, vartëse e saj. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik real në mbledhjen e provave për shkak të detyrës dhe funksionit që ushtron. Është evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët.”

Deklarata e avokatit mbrojtës të Belinda Ballukut, Ardian Kalia:

“Prokuroria e Posaçme pretendon se është shkelur masa e sigurimit nga ana e zonjës dhe se ka intimiduar ose helmuar provat.”

Relatimi i prokurorit Dritan Prençi për përgjimet (23 Shkurt 2026):

“Te relacioni dhe provat mbështetëse ne kemi paraqitur procesverbalin e transkriptimit të përgjimit të bisedave, të lejuara me vendim të gjykatës, të datës 20.11.2025, mes Mirzeta Kashnica dhe një personi tjetër. Në përmbajtje të këtij transkriptimi, rezultojnë të dhëna për intimidimin e personit, tashmë të marrë të pandehur, Mirzeta Kashnica, por edhe të personit tjetër bashkëbiseduar, e theksoj, me të cilën bisedon zonja, pasi edhe ajo, të cilën nuk po e përmend si emër, është person ndërveprues në procedurën e prokurimit, për të cilën është marrë e pandehur Kashnica.”

SQARIMI I PROKURORIT PRENÇI MBI FORMA T E PRESIONIT:

“E pandehura Mirzeta Kashnica ka pasur një bashkëpunim me organin procedues. Ka përmbajtje, siç edhe duhet të jeni njohur, që zonja është e frikësuar, përmend edhe emrat se nga kush është e frikësuar, emër zyrtar, por edhe persona të fortë në rang grupesh të tjera. Përmend tundimin nëpërmjet korrupsionit që të ndryshojë thëniet apo edhe të zëvendësojë mbrojtësin e saj me një mbrojtjes të pëlqyer nga personat që i vetëofraohen.”

Deklarata e drejtuesit të SPAK, Klodian Braho (23 Shkurt 2026):

“Duke pasur parasysh bisedën, krijojmë një lloj dyshimi se ekziston rreziku që të jenë dëmtuar provat. Kemi një bisedë konkrete që krijon dyshime serioze që ka ndodhur, sepse bashkëbiseduesit në atë bisedë u referohen pikërisht personave nga kabineti i ministrit. Duke qenë se është kjo mundësi, se mund të mos jesh edhe në funksion, por ke diku një person tjetër që ka pushtet mbi dëshmitarin, që është drejtori i dëshmitarit, për shembull.”

Sqarimi shtesë i prokurorit Dritan Prençi:

“Në përmbajtje të asaj çfarë ka prodhuar ky transkriptim i bisedave të përgjuara, bëhet fjalë për intimidim nga persona jozyrtarë. Aty përmenden ‘të fortë’, e përmend vetë zonja, pra persona jozyrtarë. Pastaj, nga personat zyrtarë bëhet fjalë për persona nga kabineti i ministrit, është e shkruar.”

Dëshmia e transkriptuar e Mirzeta Kashnicës (e lexuar në Kuvend nga prokurori Dritan Prençi):

“E kam gjetur kush ma kë bërë deri tani. Nuk ia kam thënë asnjërit, përveç asaj te kabineti i ministres, se ajo vinte që më bënin presion, moj motër; më kërcënonin në shtëpi, më dërgonin njerëz. Për Zotin, po më dërgonin njerëz; më sillnin babanë në 10 të darkës, kërcënime për dhjetë ditë; do të heqim mamanë nga puna, motrën, ty. Mirë, i thosha, mua nuk më bën do presion. Ia thashë në sy; mua nuk ma ndjen fare për presion, i thashë. Po, fare i thashë, madje edhe nëse sa lekë do, e ke parasysh, hap gojën. Kjo për personat zyrtarë, kurse pastaj vijon edhe me persona të tjerë.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit