Transmetuar më 07-10-2026, 18:38

TIRANË, 7 Tetor 2026 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen penale ndaj katër personave, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit Renis Dobrs, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025.

Të pandehurit Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj përballen me akuzat për “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Përmes pamjeve nga kamerat e sigurisë, të dhënave GPS të automjeteve të marra me qira dhe tabulateve telefonike, hetuesit rindërtuan dinamikën e plotë të ngjarjes në aksin Klos–Zenisht dhe në zonën e Burrelit. Pranë “Urës së Matit”, viktima u lokalizua ndërsa udhëtonte me automjetin e tij tip “Benz” nga Petrit Hoxha dhe Kristë Bushgjokaj, të cilët lëviznin me një mjet tip “Hyundai Santa Fe”. Mbasi sinjalizuan të pandehurit Fation dhe Aleksandër Bushgjokaj që ndodheshin në një automjet “Range Rover”, ata i bllokuan rrugën viktimës te “Kroi i Suçit”.

Sipas SPAK-ut, viktima u nxor me forcë nga automjeti i tij, u fut në mjetin “Range Rover” dhe u transportua në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit. Gjatë kësaj kohe, mbi të është ushtruar dhunë fizike që i ka shkaktuar vdekjen, rrethanë e konfirmuar edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor. Më pas, autorët e dyshuar hodhën automjetin e viktimës bashkë me trupin e tij në ujërat e liqenit të Ulzës për të fshehur gjurmët e krimit. Dosja tashmë i kalon Gjykatës së Posaçme për vlerësimin e provave dhe caktimin e përgjegjësisë penale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit