

Tiranë, 7 tetor 2026 – Çmimet e ushqimeve dhe të produkteve të tjera në Shqipëri po rriten me ritme më të larta nga sa kishte parashikuar Banka e Shqipërisë. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se presionet inflacioniste janë ndikuar kryesisht nga kostot dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, por edhe nga faktorë të brendshëm të ekonomisë.
“Rritja e çmimeve ka ardhur kryesisht nga faktorë që lidhen me kostot dhe tregjet ndërkombëtare, por edhe nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë. Këto presione janë reflektuar më shpejt nga sa kishim parashikuar në projeksionet tona”, u shpreh Sejko.
Sipas guvernatorit, presionet mbi çmimet pritet të jenë të përkohshme dhe të zbuten gradualisht. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të rikthehet drejt nivelit të synuar, nëse nuk do të ketë goditje të reja nga jashtë.
Ndërkohë, Sejko vlerësoi se ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri, e mbështetur nga konsumi, investimet dhe aktiviteti në sektorët kryesorë të ekonomisë.
“Ekonomia shqiptare vazhdon të shfaqë një qëndrueshmëri të mirë, e mbështetur nga konsumi, investimet dhe aktiviteti në disa prej sektorëve kryesorë. Kjo na jep një bazë të mirë për të ruajtur një perspektivë pozitive për aktivitetin ekonomik”, deklaroi ai.
Pavarësisht presioneve inflacioniste dhe rritjes së çmimeve, Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%.
Banka vlerëson se presionet aktuale mbi çmimet duhet të monitorohen, ndërsa zhvillimet e ardhshme në tregjet ndërkombëtare dhe ekonominë vendase do të jenë përcaktuese për ecurinë e inflacionit në muajt në vijim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






