Transmetuar më 07-10-2026, 17:06

Prishtinë, 7 tetor 2026 – Biznesmeni Valon Lluka është ndaluar nga Policia e Kosovës, pas një urdhri të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Lluka, i identifikuar me inicialet V.Ll., është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhja e kontratës së dëmshme”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria bëri të ditur se prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po zhvillon veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të shqyrtojë edhe mundësinë e kërkimit të një mase sigurie ndaj të ndaluarit.

Sipas raportimeve mediatike, ndalimi i Llukës dyshohet se lidhet me një denoncim të bërë nga biznesmeni Behgjet Pacolli. Ky i fundit ka akuzuar publikisht ish-ortakun e tij dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt për përvetësim të shumave të konsiderueshme parash.

Akuzat ndaj Llukës janë aktualisht pjesë e një hetimi dhe nuk përbëjnë një fajësi të provuar. Përgjegjësia penale do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të procedurave përkatëse dhe, nëse çështja shkon në gjykim, nga vendimi i gjykatës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit