

BRUKSEL, 7 Tetor 2026 – Vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë arritur ende një konsensus për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, pas diskutimeve të zhvilluara në grupin e punës të Këshillit të BE-së për Zgjerimin (COELA).
Përfaqësuesit e vendeve anëtare do t’i rikthehen sot bisedimeve në COELA për të shqyrtuar një propozim kompromisi të paraqitur nga Presidenca e Këshillit të BE-së, me synim hartimin e një pozicioni të përbashkët. Kapitulli 20 mbulon fushat e “Sipërmarrjes dhe Politikës Industriale” dhe bën pjesë në Grup-kapitullin 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”.
Mungesa e dakordësisë pezullon përkohësisht hapat e mëtejshëm proceduralë. Në rast se vendet anëtare arrijnë miratimin në COELA, dosja duhet t’i kalojë Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) përpara se mbyllja e kapitullit të formalizohet zyrtarisht në një Konferencë Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila është përfolur se mund të zhvillohet më 13 tetor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






