Transmetuar më 07-10-2026, 11:26

BRUKSEL – Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian brenda vitit 2028, pasi Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar mundësinë e nënshkrimit të traktatit të anëtarësimit gjatë verës së ardhshme.

Gjatë një paraqitjeje para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), Kos ka bërë të ditur se pjesa teknike e negociatave mund të përfundojë brenda këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, ndërkohë që Komisioni ka nisur përgatitjen e traktatit të anëtarësimit.

Procesi i ratifikimit dhe afatet

Sipas komisioneres evropiane, pas nënshkimit verën e ardhshme, do të pasojë procesi i ratifikimit, i cili llogaritet të zgjasë nga një deri në dy vjet në varësi të vendeve anëtare. Kjo dinamikë krijon hapësirë që Mali i Zi të zyrtarizohet si anëtari më i ri i bllokut evropian në vitin 2028.

Mali i Zi mbetet vendi kandidat më i avancuar në rajon, duke pasur të mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave, ndërsa synon mbylljen e plotë të tyre deri në fund të këtij viti. Ky shtet pritet të jetë gjithashtu i pari që do t’i nënshtrohet rregullave të reja të Komisionit Evropian për vendet e ardhshme anëtare.

Samiti i BE-së dhe Shqipëria në fokus

Çështja e zgjerimit do të dominojë punimet e samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, i cili do të zhvillohet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel, ku liderët do të shqyrtojnë progresin e Podgoricës zyrtare.

Ndërkohë, në fund të muajit tetor, Komisioni Evropian do të publikojë udhërrëfyesit kuadër edhe për Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, si vendet e tjera më të avancuara në këtë proces, me kushtin parësor ruajtjen e ritmit të reformave.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit