Transmetuar më 07-10-2026, 07:12

Presidentja e re e Kosovës mori zyrtarisht detyrën para Kuvendit dhe premtoi unitet, drejtësi, forcim të institucioneve dhe orientim të qartë euroatlantik

Justina Shiroka-Pula ka bërë betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke marrë zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës.

Gjatë betimit, ajo u zotua se do të angazhohet për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës.

Në fjalën e parë pas marrjes së detyrës, Shiroka-Pula tha se e pranon mandatin me nder të madh dhe përgjegjësi të plotë, duke theksuar se Presidenca nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe institucioneve të shtetit.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza u sakrifikuan”, deklaroi ajo.

Presidentja e re u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallime politike, etnike apo shoqërore.

Ajo theksoi se gjatë mandatit të saj do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.

Shiroka-Pula nënvizoi gjithashtu orientimin euroatlantik të vendit dhe rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të forta me aleatët ndërkombëtarë.

“Kosova duhet të ecë përpara si një shtet demokratik, i sigurt, me orientim të qartë euroatlantik dhe me miqësi të fortë me aleatët tanë”, tha ajo.

Në përfundim të fjalës, Presidentja deklaroi se do të mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve, duke e mbyllur me fjalët: “Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit