Transmetuar më 07-10-2026, 03:04

Justina Shiroka Pula zgjidhet Presidente e Kosovës, merr 81 vota pas marrëveshjes VV–PDK

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Justina Shiroka Pulën Presidente të re të Republikës, pas një seance të jashtëzakonshme të zhvilluar këtë të mërkurë.

Në votimin për kreun e shtetit, Shiroka Pula siguroi 81 vota, duke marrë mbështetjen e nevojshme të deputetëve për t’u zgjedhur Presidente.

Seanca nisi me 89 deputetë të pranishëm. Para procesit për zgjedhjen e Presidentes, Kuvendi shqyrtoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Projektligji u miratua me 88 vota pro, pa vota kundër dhe pa abstenime.

Pas përfundimit të kësaj pike, deputetët kaluan në procesin për zgjedhjen e Presidentes së re. Në garë ishin Justina Shiroka Pula dhe Eliza Hoxha.

Zgjedhja e Shiroka Pulës u bë e mundur pas një marrëveshjeje politike të arritur në minutat e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, e cila zhbllokoi procesin e votimit.

Me 81 votat e marra në Kuvend, Justina Shiroka Pula merr tashmë drejtimin e Presidencës së Kosovës. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit