Transmetuar më 06-10-2026, 19:45

TIRANË – Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Ardian Muka, banor i fshatit Gërdec në Vorë, i cili akuzohet se i ka vënë një gjobë prej 300 mijë eurosh kushëririt të tij, Erion Muka, duke e kërcënuar atë me jetë.

Ngjarja u zbulua më 12 shtator 2026, kur Erion Muka gjeti te porta e jashtme e oborrit të shtëpisë një kuti syzesh brenda së cilës ndodhej një fishek automatiku dhe një letër me mesazhe kërcënuese që i kërkonte shumën e madhe të parave. Materialet u dorëzuan menjëherë në Komisariatin Nr. 7 në Vorë.

Hetimet e drejtuara nga prokurori Petrit Vukaj fillimisht u përqendruan te dyshimet për një histori sentimentale, por këqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet operative zbuluan se autori ishte kushëriri i tij, Ardian Muka.

Gjatë marrjes në pyetje pas shoqërimit, i arrestuari e ka pranuar autorsinë e krimit, duke deklaruar se natën e 11 shtatorit u vesh me kominoshe pune për të mos u identifikuar, vendosi letrën dhe fishekun në kutinë e syzeve dhe e la te dera e kushëririt përpara se të largohej.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e autorit, policia sekuestroi kominoshet e punës, një laps dhe një fletore ku dyshohet se është shkruar letra kërcënuese. Ardian Muka përballet me akuzat për “Shtrëngim me anë të kanosjes për marrjen e pasurisë” dhe “Mbajtje pa leje e municioneve”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit