Transmetuar më 06-10-2026, 19:18

TIRANË – Shqipëria kërkon të lërë pas disfatën e pësuar në Helsinki dhe të rikthehet te fitorja përballë San Marinos, në takimin që do të luhet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, nën gjykimin e arbitrit turk Mehmet Türkmen.

Kombëtarja përballet me mungesa në portë për shkak të pezullimit të Etrit Berishës dhe shqetësimeve muskulore të Alen Sherrit, çka ka sjellë grumbullimin e Alain Tahos nga kombëtarja Shpresat dhe Simon Simonit. Në këto kushte, tekniku Rolando Maran pritet t’i besojë fanellën e titullarit Mario Dajsinanit, i cili do të bëjë debutimin e tij zyrtar me ekipin kombëtar.

Në mbrojtje, Ardian Ismajli zhvilloi stërvitje të diferencuar nga ngarkesa fizike, por stafi mjekësor e konfirmon të gatshëm. Megjithatë, Maran parashikohet të aplikojë modul me rreshtim 3–4–3, ku Marash Kumbulla pritet të marrë vendin e Ismajlit krah kapitenit Berat Gjimshiti dhe Mario Mitajt.

Në mesfushë do të rreshtohen Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani, ndërsa nga krahët do të veprojnë Myto Uzuni dhe Andreas Pilo. Sulmi do të kryesohet nga Rey Manaj, i mbështetur nga Ernest Muçi dhe Arbër Hoxha. Jashtë listës për këtë sfidë kanë mbetur Feta Fetai, Klevis Qefalia dhe Sabaker Jota.

Një shqetësim kryesor për stafit teknik mbetet rreziku i kartonëve të verdhë: gjashtë lojtarë titullarë (Gjimshiti, Pilo, Ramadani, Asllani, Mehmeti dhe Uzuni) janë në kufi ndëshkimi dhe një karton i verdhë i heq ata nga sfida e radhës kundër Finlandës.

Pas tri ndeshjeve të para, Shqipëria pozicionohet në vendin e dytë të Grupit 1 në Ligën C me 6 pikë, një pikë më pak se Finlanda kryesuese dhe dy më shumë se Bjellorusia.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit