Transmetuar më 06-10-2026, 17:07

TIRANË, 6 tetor 2026 – Reforma e re territoriale që pritet të diskutohet në kuadër të zgjedhjeve të vitit 2027 mund të sjellë ndryshime jo vetëm në numrin e bashkive, por edhe në mënyrën e përfaqësimit të qytetarëve në këshillat bashkiakë.

Sipas propozimit të paraqitur nga Arbjan Mazniku pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore, territoret që mund të mos kenë më bashki të veçantë do të mund të përfaqësohen përmes anëtarëve në këshillin bashkiak të bashkisë më të madhe ku do të përfshihen.

Sipas skenarit të referuar në dokument, me hartën e re territoriale në pranverën e vitit 2027, 46 bashki do të shkojnë në zgjedhje për kryetar, ndërsa 77 qytete do të kenë një nënkryetar bashkie të emëruar, por nuk do të kenë këshill bashkiak më vete.

Për të shmangur mungesën e përfaqësimit të këtyre komuniteteve, propozohet ndryshimi i kuadrit ligjor dhe i Kodit Zgjedhor.

Si parashikohet të funksionojë përfaqësimi? Mazniku propozon një model të quajtur “proporcionalitet i dyfishtë”, i cili do të kombinonte përfaqësimin politik me atë territorial.

Sipas këtij modeli, mandatet e këshilltarëve do të ndaheshin në bazë të dy kritereve:

Përfaqësimit politik, sipas votave që merr secili subjekt zgjedhor.

Përfaqësimit territorial, sipas peshës së popullsisë së territoreve përbërëse të bashkisë.

Në dokument jepet si shembull një këshill bashkiak me 51 mandate dhe tre territore përbërëse. Fillimisht përcaktohet numri i mandateve që i takon secilit territor në bazë të popullsisë dhe më pas bëhet ndarja e mandateve mes subjekteve politike.

Për shembull, nëse një subjekt politik siguron 28 mandate në një këshill me 51 anëtarë, ato do të shpërndaheshin edhe në territorin përkatës. Në ilustrimin e propozuar, 20 mandate do t’i takonin njësisë më të madhe, 5 të dytës dhe 3 njësisë më të vogël.

Sipas dokumentit, kjo mënyrë synon të ruajë njëkohësisht numrin total të mandateve që i takojnë çdo territori dhe numrin e mandateve që fiton secili subjekt politik.

Këshilltarët me lista të hapura Një tjetër element i propozuar lidhet me mënyrën se si qytetarët do të votojnë për këshilltarët bashkiakë.

Mazniku i propozon Komisionit të Reformës Zgjedhore që këshilltarët të zgjidhen përmes votës preferenciale, pra me lista të hapura.

Në këtë skemë, votuesi do të mund të zgjedhë kandidatin e preferuar brenda subjektit politik dhe territorit përkatës. Numri i mandateve që i takojnë subjektit në atë territor do të përcaktonte numrin e kandidatëve që marrin mandat, ndërsa votat preferenciale do të përcaktonin se cilët kandidatë do të zinin këto vende.

Ende nuk ka një vendim përfundimtar Dokumenti i paraqitur pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore propozon gjithashtu që të përcaktohet qartë se çfarë do të konsiderohet territor përbërës në këtë skemë: qytet, ish-bashki, njësi administrative apo një kategori tjetër e përcaktuar me ligj.

Propozimet pritet të jenë pjesë e diskutimeve për ndryshimet në kuadrin ligjor dhe Kodin Zgjedhor. Për rrjedhojë, modeli i përfaqësimit dhe mënyra konkrete e zgjedhjes së këshilltarëve mund të pësojnë ndryshime gjatë procesit të reformës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit