Transmetuar më 06-10-2026, 14:48

Tiranë, 6 tetor – Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me incidentin e regjistruar më 5 tetor në Tiranë, ku u sulmua gazetari Bledi Mane. Në një deklaratë zyrtare, policia bën me dije se strukturat përkatëse po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe referimin e çështjes në Prokurori.

Sipas Policisë së Shtetit, hetimet po zhvillohen në përputhje me ligjin, ndërsa autoritetet shprehen se dënojnë çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve.

Në reagim theksohet gjithashtu se e drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta, por kjo e drejtë, sipas policisë, nuk mund të përdoret për të kanosur, shënjestruar apo sulmuar persona të tjerë për shkak të mendimeve apo bindjeve të tyre.

“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin konfrontimet dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Policia thekson se çdo person që ndihet i kërcënuar apo i kanosur duhet t’u drejtohet strukturave përkatëse, ndërsa çdo kallëzim do të trajtohet në përputhje me procedurat ligjore.

Në përfundim të reagimit, Policia e Shtetit deklaron se do të garantojë mbrojtje të barabartë si për qytetarët që protestojnë, ashtu edhe për ata që kanë qëndrime të ndryshme.

“Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim”, përfundon deklarata.

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT

Në lidhje me incidentin e datës 5 tetor, në Tiranë, ku u sulmua gazetari B. M., strukturat e Policisë po kryejnë veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe referimin e çështjes pranë organit të Prokurorisë, në përputhje me ligjin.

Policia e Shtetit dënon çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve dhe garanton të drejtën kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. Por ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të përdoret për të kanosur, shënjestruar apo sulmuar qytetarë të tjerë, për shkak të mendimeve dhe bindjeve të tyre.

Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të shmangin çdo formë konfrontimi dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Çdo person që ndihet i kërcënuar apo i kanosur duhet t’u drejtohet strukturave të Policisë. Çdo kallëzim do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin.

Policia e Shtetit do të mbrojë njësoj qytetarin që proteston dhe qytetarin që mendon ndryshe. Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit