Transmetuar më 06-10-2026, 12:25

TIRANË- Prokuroria ka mbyllur hetimet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Elvis Shkambi, i cili qëlloi për vdekje gjyqtarin më 6 tetor 2025, është marrë i pandehur për “Vrasje të funksionarëve publikë”, tentativë vrasjeje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje.

Në gjyq është dërguar edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, për vrasje në rrethana cilësuese, si dhe punonjësi i sigurisë së gjykatës, për shpërdorim detyre.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për tre vepra penale shtetasit E.Sh dhe Gj.Sh. për vrasjen e gjyqtarit A.K. Në gjyq edhe punonjësi i sigurisë për ‘Shpërdorim detyre’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin E.Sh., për veprën penale ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ dhe ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal.

Po kështu, në gjyq u dërguan dhe shtetasit Gj.Sh., për ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ si dhe B.K., për ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal. Hetimet mbi procedimin penal nr.7416, viti 2025 më datë 06.10.2025, nisën pasi rreth orës 15.38, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u njoftua se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A.K.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, administrimin dhe këqyrjen paraprake të pamjeve filmike, rezultoi se gjyqtari A.K., u qëllua në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse R.K. ku palë të treta ishin edhe shtetasit Gj.Sh. dhe nipi i tij E.Sh.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K., i pandehuri E.Sh., nxorri nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas ai ia ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët kanë tentuar të largohen nga salla, duke shkaktuar plagosjen e shtetasit E. K. në dorën e djathtë dhe dëmtimin e shtetasit R. K. në trup.

Menjëherë pas këtij veprimi, i pandehuri E.Sh., ia ka dorëzuar armën e zjarrit punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, ku është kapur në flagrancë.

Në përfundim të hetimeve dhe nga provat e administruara rezultoi se i pandehuri E.Sh., e kreu veprën penale në bashkëpunim me të pandehurin Gj.Sh. dhe këta shtetas kanë konsumuar të gjitha veprat penale për të cilat akuzohen. Shtetasi E.Sh deklaroi se armën e ka pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij e dinte këtë fakt. Nga provat rezulton se ndërmjet tyre dhe familjes së shtetasit E.K., ka pasur një konflikt të vazhdueshëm pronësie.

Për sa i përket të pandehurit B.K., rezulton se ai ka konsumuar në të gjitha elementet e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga hetimet rezultoi se të dy shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., kanë hyrë në gjykatë pa u kontrolluar, dhe njëri prej tyre kishte armë, të cilën e përdori brenda sallës ku për pasojë gjyqtari A.K. humbi jetën dhe dy persona të tjerë u plagosën. Në këtë rast kemi cenim konkret, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të rëndë të interesit juridik që rregullat e sigurisë synonin të mbronin.

Shtetasi B.K., qëndron i ulur dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik. Po në të njëjtin moment, ai nuk kryen regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve dhe kjo provohet edhe nga këqyrja e regjistrit.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit