

TIRANË — Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për ndeshjen midis Shqipërisë dhe San Marinos, e vlefshme për Ligën e Kombeve, e cila zhvillohet ditën e sotme në orën 20:45 në Arenën Kombëtare.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv dhe lehtësimin e trafikut, nga ora 17:00 deri në përfundim të takimit do të aplikohen kufizime dhe bllokime të qarkullimit të automjeteve në akset pranë stadiumit.
Rrugët ku do të ndalohet lëvizja përfshijnë:
Bulevardin "Dëshmorët e Kombit": Nga urë e ish-Hotel Dajtit.
Rrugën "Papa Gjon Pali II": Te kryqëzimi i RTSH-së.
Rrugët "Dervish Hima" dhe "Asim Zeneli": Pranë Ambasadës së SHBA-së.
Rrugën "Themistokli Gërmenji": Në hyrje të saj.
Rrugën "Ismail Qemali": Te kryqëzimi i RTSH-së.
Rrugën "Lekë Dukagjini": Pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë vetëm si korridor hyrës për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja.
Rrugën "Abdyl Frashëri": Pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Sheshin "Willson": Ku lëvizja do të devijohet drejt rrugës "Sami Frashëri" pak para përfundimit të ndeshjes.
Akset kryesore si Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi "Bajram Curri" do të mbeten të lira për qarkullimin e mjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar, punonjësit e policisë do të kryejnë kontrolle të imtësishme te hyrjet e stadiumit për të parandaluar futjen e lëndëve piroteknike, banderolave me përmbajtje raciste, monedhave, çadrave, çakmakëve, karikuesve apo sendeve të tjera të forta.
Portat e "Air Albania" do të hapen në orën 18:30, ndërsa autoritetet i kanë bërë thirrje tifozëve të paraqiten herët për të shmangur vonesat nga fluksi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






