Transmetuar më 06-10-2026, 09:19

PRISHTINË — Kosova përballet këtë të martë me një ditë kyçe politike dhe shoqërore, ndërsa protestuesit rikthehen para Kuvendit në orën 09:00 për të kërkuar amendimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, në të njëjtën ditë kur skadon edhe afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Rikthimi i protestuesve vjen pas tensioneve të së hënës, ku projektligji kaloi vetëm në parim me 91 vota pro, por pa u miratuar në lexim të dytë. Përplasjet mes manifestuesve dhe forcave të rendit përfunduan me përdorimin e gazit lotsjellës dhe topave të ujit, si dhe me 17 persona që kërkuan ndihmë mjekësore, mes të cilëve 11 qytetarë dhe 6 efektivë policie.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka bërë thirrje qytetarëve të tubohen sërish për t’i kërkuar deputetëve votimin përfundimtar të ndryshimeve ligjore.

Në planin institucional, dita e sotme shënon edhe datën përfundimtare për zgjedhjen e kreut të shtetit. Radha e procedimit të dy çështjeve ka thelluar përplasjet mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). LVV insiston në zgjedhjen e presidentit përpara votimit për Specialen, ndërsa PDK kërkon renditjen e kundërt të seancave.

Takimi i zhvilluar mes Albin Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi pa një marrëveshje konkrete. Megjithatë, përfaqësues të LVV-së deklaruan se ekziston gatishmëria për t’i zhvilluar të dyja votimet gjatë ditës së sotme në dy seanca të njëpasnjëshme.

Në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda afatit ligjor, Kosova do të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda 45 ditëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit