

TIRANË – Banka e Shqipërisë ka hartuar projekt-rregulloren për funksionimin e sistemit të ri të pagesave të menjëhershme (Instant Payments), i cili do të lejoje kryerjen e transfertave kombëtare pothuajse në kohë reale — brenda një kohe maksimale prej 10 sekondash — për shumat deri në 500 mijë lekë ose 5 000 euro.
Sistemi i ri do të funksionojë pa ndërprerje 24 orë në ditë dhe 7 ditë të javës (24/7), duke shmangur vonesat aktuale të sistemit AECH dhe AIP Euro, ku transfertat kërkojnë disa orë pune ose shtyhen për ditën pasardhëse nëse nisen pas orës 13:45.
Projekt-rregullorja përcakton gjithashtu tavanet e komisioneve që bankat dhe institucionet financiare mund t’u aplikojnë klientëve:
Deri në 40 000 lekë: Transfertat do të jenë pa asnjë komision (0 lekë).
Nga 40 000 deri në 1 000 000 lekë: Komisioni maksimal nuk mund të kalojë 100 lekë (dhe jo më shumë se 50 lekë nëse kryhet përmes internet banking).
Për të nxitur aplikimin e tarifa sa më të ulëta nga bankat, Banka e Shqipërisë do të procedojë me komisione simbolike: zero lekë për transaksionet deri në 40 mijë lekë dhe vetëm 1 lek për ato mbi këtë vlerë.
Një tjetër ndryshim kyç në kuadrin rregullator është përfshirja si pjesëmarrës direkt në sistemet kombëtare të pagesave (AIPS dhe AIPS EURO) e institucioneve financiare jo-banka (institucionet e pagesave dhe parasë elektronike). Kjo u mundëson operatorëve jo-bankarë të ofrojnë shërbime me të njëjtat kushte e lehtësi si bankat tregtare, në kuadër të zbatimit të Direktivës Evropiane të Pagesave (PSD 2).
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






