

BRUKSEL – Partnerët evropianë në Bruksel kanë nisur të planifikojnë skenarë alternativë përballë krizës politike që ka përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, pas humbjeve të njëpasnjëshme elektorale, përparimit të së djathtës ekstreme dhe përplasjeve të brendshme në koalicionin qeverisës.
Sipas zyrtarëve dhe diplomatëve perëndimorë, pasiguria politike në Berlin rrezikon të dobësojë rolin e Gjermanisë si ekonomia më e madhe e bllokut në negociatat kyçe për buxhetin 2-trilionësh të BE-së dhe politikat industriale.
Lidhur me ndikimin e këtij debati të brendshëm në pozicionin ndërkombëtar të Gjermanisë, deputeti i Bundestagut nga radhët e CDU-së, Wilhelm Gebhard, deklaroi:
“Çdo debat mbi kancelarin gjerman e dobëson rolin e Gjermanisë në BE dhe në botë.”
Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës në Parlamentin Evropian theksojnë se shpërbërja e parakohshme e koalicionit mbetet pak e mundur. Eurodeputetja e Të Gjelbërve, Hannah Neumann, u shpreh:
“Të gjithë partnerët e koalicionit e dinë se kanë shumë për të humbur nga zgjedhjet e parakohshme. Prandaj, pritshmëria ime është se ata do të qëndrojnë së bashku dhe do të përpiqen të kalojnë situatën si të munden.”
Diplomatët evropianë shprehin shqetësimin se dobësia politike në Berlin mund ta shtyjë Merzin drejt qëndrimeve më të ashpra e më pak fleksibile gjatë bisedimeve për shkurtimin e shpenzimeve të BE-së, me qëllim përfitimin e pikëve politike brenda vendit. Lidhur me nevojën për qëndrueshmëri, deputeti i CDU-së në Bundestag, Fabian Gramling, nërmarrjen e hapave konkretë e lidhi me unitetin brenda kabinetit:
“Forca nuk vjen vetëm nga paraqitjet madhështore në Bruksel, por mbi të gjitha nga stabiliteti, besueshmëria dhe aftësia për të çuar përpara vendimet në vend. Pikërisht kjo mungon për momentin. Ndikimi i Gjermanisë në Evropë varet gjithashtu nga fakti se sa e bashkuar dhe sa e aftë për të vepruar duket qeveria federale brenda vendit.”
Trazirat politike në Berlin kanë sjellë tashmë vonesa dhe qëndrime kontradiktore të Gjermanisë në dosje të rëndësishme evropiane, si rregullimi i emetimeve të automjeteve, mbrojtja e industrisë së rëndë nga konkurrenca e huaj dhe propozimet për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






