

TIRANË – Thirrja e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, që mbështetësit demokratë t’i bashkohen protestës qytetare pa simbole partiake të enjten ka marrë një përgjigje nga organizatorët e tubimit.
Në një prononcim për emisionin “Off the Record” në A2CNN, aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi se në shesh janë të mirëpritur të gjithë qytetarët e opozitarët e zhgënjyer, por përjashtoi praninë e drejtuesve politikë dhe deputetëve aktualë.
Lidhur me qëndrimin e organizatorëve ndaj pjesëmarrjes politike, Xhemalaj u shpreh:
“Nuk ftojmë në shesh Sali Berishën, por forcat opozitare. Të gjithë ata opozitarë të zhgënjyer nga PD dhe nga PS. Ne duam që të gjithë këta persona të vijnë në shesh, të lirë, jo të kryesuar nga një parti apo kryetar. Të vijnë në shesh si opozitarë, dhe si opozitarë të përpiqemi të rrëzojmë qeverinë Rama. PD s’mund të përfaqësohet nga ata deputetë që ka, ka një bazë të gjerë. Ne këta njerëz duam. Nuk po kërkojmë që të vijë Klevis Balliu në protestë. Ne duam që të gjithë ata demokratë të zhgënjyer të dalin në shesh, jo deputetët. Deputetët ne e dimë shumë mirë, si nga PS apo PD, është i kapur.”
Reagimi vjen menjëherë pas deklaratës së Berishës në konferencën për mediat, ku njoftoi se Partia Demokratike do të anulojë simbolet e saj për protestën e paralajmëruar nga lëvizja “Revolucioni Flamingo”.
Lidhur me këtë vendim, Berisha deklaroi më herët gjatë ditës:
“Ditën e enjte, në protestën kombëtare qytetare, demokrate e demokratë nga e gjithë Shqipëria dhe Tirana do t’i bashkohen dhe do të jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj! Jemi në protestë qytetare rinore, për një kauzë jashtëzakonisht të madhe!”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






