

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë shpallur zyrtarisht rikthimin, pas më shumë se tri dekadash, të rezervistëve në stërvitje të rregullt ushtarake.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, gjenerallejtënant Arben Kingji, tha se ky proces merr një rëndësi të veçantë në kushtet e mjedisit të sotëm të sigurisë, të karakterizuar nga zhvillime dinamike, kërcënime hibride dhe kibernetike, si dhe nga nevoja për kapacitete të shtuara për përballimin e emergjencave civile.
Në këtë kuadër, gatishmëria nuk duhet të kufizohet vetëm te reagimi i parë, por duhet të sigurojë edhe aftësinë për të përforcuar dhe rigjeneruar forcën, duke garantuar vijimësinë e mbrojtjes kombëtare në situata të zgjatura krizash kombëtare, tha ai dhe shtoi:
“Rezerva nuk ndërtohet kur fillon kriza. Ajo përgatitet në kohë paqeje, që të jetë gati kur vendi e kërkon…”, u shpreh SHSHPFA, duke theksuar se rezerva duhet të stërvitet dhe integrohet në mënyrë të vazhdueshme me forcën aktive.
Rezervistët do të ndjekin një cikël progresiv trajnimi, nga stërvitja individuale dhe e avancuar, te stërvitja kolektive dhe integrimi me njësinë ku janë caktuar.
Procesi, u shpreh ai, mbështetet edhe nga përmirësimi i paketës ligjore për shërbimin ushtarak rezervist, e cila përcakton aktivizimin, të drejtat dhe detyrimet e rezervistëve, duke garantuar trajtim të njëjtë me ushtarakët aktivë gjatë periudhës së shërbimit dhe stërvitjes.
Një nga objektivat e përcaktuara deri në vitin 2029 është të trajtohet dhe integrohet mbi 80% e rezervës.
Më herët, Qendra e Personel Rekrutimit kreu regjistrimin e kandidatëve për rezervistë dhe kërkoi të rekrutojë 363 kandidatë të cilët më 1 tetor 2026 nisën atë që njihet në Shqipëri si zbori. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






