

Një hartë e botuar në korrik 2025 në gazetën “Ushtria” rikthehet në vëmendjen e medias greke. Athina kishte protestuar zyrtarisht që atëherë, por kishte sqaruar se publikimi nuk përfaqësonte qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare. Pse rihapet ky debat?
Shtypi ortodoks në Greqi ka rikthyer këtë të hënë 5 tetor në vëmendje mediatike, një hartë të publikuar vitin e kaluar në gazetën “Ushtria”, botim i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një hartë “irredentiste” dhe duke ngritur pikëpyetje mbi publikimin e saj në një organ shtetëror.
Gazeta "Ortodoksos Tipos’ shkruan se harta paraqet brenda një hapësire të konsideruar prej saj si “territore historike shqiptare” edhe zona që sot ndodhen në Greqi, mes tyre Korfuzin, Janinën, Prevezën, Artën, Igumenicën dhe Grevenan.
Publikimi të cilit i referohet media greke nuk është i ri. Ai është botuar më 17 korrik 2025 në gazetën “Ushtria”, me rastin e 147-vjetorit të Kongresit të Berlinit.
Dokumenti i arkivuar nga faqja e Ministrisë së Mbrojtjes konfirmon se në numrin e 17 korrikut 2025, në faqen 12, është publikuar shkrimi me titull “Kongresi i Berlinit: Fillimi i një epoke për çështjen shqiptare”. Në artikull thuhet se vendimet e Kongresit të Berlinit përbënin një “plagë historike” për shqiptarët dhe se trojet shqiptare u ndanë mes shteteve fqinje.

Në një kërkim në faqen e ministrisë së Mbrotjes sot, ky material nuk u gjet.
Media greke e së hënës e vendos theksin pikërisht te fakti se “Ushtria” nuk është një botim privat, por një publikim i lidhur me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes.
Sipas “Ορθόδοξος Τύπος”, kjo ngre pyetjen se si një material i tillë është miratuar për publikim nga një organ shtetëror dhe nëse harta përfaqësonte vetëm zgjedhjen editoriale të autorëve apo një qëndrim më të gjerë institucional.
Megjithatë, çështja kishte shkaktuar reagim zyrtar nga Athina që në korrik të vitit 2025.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, e kishte cilësuar atëherë hartën si “plotësisht ahistorike”, ndërsa kishte konfirmuar se Ministria e Jashtme greke kishte paraqitur një protestë zyrtare ndaj palës shqiptare.
Në të njëjtën deklaratë, Marinakis kishte bërë një dallim të rëndësishëm, duke theksuar se publikimi nuk përfaqësonte qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare. Ai kishte shtuar se materiale të tilla mund të ndikojnë negativisht në një periudhë kur dy vendet po përpiqen të forcojnë marrëdhëniet mes tyre.
Media greke e rikthen tani çështjen edhe në kontekstin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke deklaruar se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe shmangia e interpretimeve irredentiste kanë rëndësi të veçantë për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në shkrim përmendet gjithashtu deklarata e kryeministrit Edi Rama në Selanik në nëntor 2024, kur ai e kishte cilësuar termin “Vorio Epir” si një nocion të vdekur, ndërsa media greke kërkon sqarim për kontrastin që, sipas saj, krijohet mes kësaj deklarate dhe hartës së publikuar nga “Ushtria”. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






