

ELBASAN – Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kanë arrestuar në flagrancë administratorin e shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., Leli Kaja, i cili menaxhon inceneratorin e Elbasanit.
Arrestimi u krye për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, pas përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe veprimeve të simuluara.
Lidhur me detajet e operacionit dhe veprën e konsumuar, SPAK dha njoftimin zyrtar:
“SPAK arreston administratorin e “ECO-ELB” për korrupsion pasiv
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.”
Organet e hetimit vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë aferë korruptive.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






