

Një nga ndeshjet më të mëdha të karrierës së Nelson Hysës po gjeneron interes të jashtëzakonshëm në Gjermani.
Boksieri shqiptar do të përballet më 28 nëntor në Merkur Spiel-Arena të Düsseldorf-it me kampionin e botës në peshat e rënda, Agit Kabayel.
Sipas medias së specializuar gjermane Boxen1, më shumë se 25 mijë bileta janë shitur brenda vetëm 24 orëve, ende përpara nisjes së plotë të shitjes zyrtare, citon noa.al një raport të Boxen News.
Kabayel do të mbrojë për herë të parë titullin e tij botëror WBC, ndërsa përballë do të ketë Hysën në një duel që pritet të tërheqë dhjetëra mijëra spektatorë.
Fillimisht arena ishte planifikuar për rreth 35 mijë tifozë, por interesimi i madh mund t’i shtyjë organizatorët të hapin të gjithë Merkur Spiel-Arena, duke e çuar kapacitetin potencial në rreth 55 mijë vende.
Data e duelit ka edhe një simbolikë të veçantë për boksin e peshave të rënda. Pikërisht më 28 nëntor 2015, në të njëjtën arenë, Tyson Fury mposhti Wladimir Klitschkon dhe i dha fund dominimit të gjatë të ukrainasit.
Tashmë, 11 vite më vonë, arena e Düsseldorf-it do të presë një tjetër duel të madh të peshave të rënda, me Nelson Hysën që do të kërkojë goditjen më të madhe të karrierës së tij. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






