Transmetuar më 05-10-2026, 16:56

Granit Xhaka pritet në Prokurorinë e Lucernës, në pikëpyetje edhe e ardhmja e tij si kapiten i Zvicrës

Një javë delikate ka nisur për Granit Xhakën. Kapiteni i kombëtares zvicerane pritet të merret në pyetje nga Prokuroria e Lucernës në kuadër të hetimit për një certifikatë të dyshuar të rreme vaksinimi kundër Covid-19.

Sipas medias zvicerane TicinOnline/20 Minuten që citon noa.al, data dhe ora e marrjes në pyetje nuk janë bërë publike. Xhaka kishte pranuar më herët se kishte siguruar një vërtetim të rremë vaksinimi, duke kërkuar falje dhe duke deklaruar se do të bashkëpunonte me autoritetet. Procedura penale vijon dhe për personat nën hetim vlen prezumimi i pafajësisë.

Një nga çështjet që hetuesit po përpiqen të sqarojnë është nëse dokumenti është përdorur dhe në çfarë rrethanash. Sipas Federatës Zvicerane të Futbollit, certifikata nuk ishte e nevojshme për ndeshjet ndërkombëtare apo turnetë e mëdha të kombëtares, por po shqyrtohet edhe periudha kur Xhaka luante me Arsenal dhe udhëtoi në SHBA.

Çështja ka pasur pasoja edhe në aspektin sportiv. Xhaka dhe Federata Zvicerane kanë rënë dakord që ai të mos jetë pjesë e grumbullimit aktual të kombëtares.

Pas përfundimit të kësaj dritareje ndërkombëtare, drejtuesit e federatës pritet të diskutojnë sërish me 33-vjeçarin për hapat e mëtejshëm.

Mbetet e paqartë nëse futbollisti me origjinë shqiptare do të rikthehet menjëherë në kombëtare dhe nëse do të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit.

Xhaka është rekordmeni i Zvicrës me 152 paraqitje me ekipin kombëtar. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit