

Shqiptarët e Elassonës thonë se kanë punuar, ngritur familje dhe paguar taksa për dekada në Greqi, por provimet për shtetësinë mbeten një pengesë e madhe. “Edhe vendasit do ta kishin të vështirë”, shprehen ata
Komuniteti shqiptar në zonën e Elassonës në Greqi ka ngritur shqetësime për mënyrën se si zhvillohen provimet për marrjen e shtetësisë greke, duke i cilësuar testet tepër të vështira, veçanërisht për emigrantët e brezit të parë.
Sipas gazetës greke “Eleftheria” që citon noa.al, shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në zonë thonë se provimet e certifikatës së njohurive për natyralizim kërkojnë një nivel të lartë në gjuhë, histori dhe njohuri të tjera, çka për shumë prej tyre kthehet në një pengesë serioze.
Një emigrant shqiptar, i identifikuar si Ilia T., i cili kishte mbërritur në Greqi në moshën trevjeçare, tha se shumë prej tyre kanë mbi 30 vjet në vend, kanë krijuar familje, paguajnë taksa dhe flasin greqisht, por sërish përballen me teste që sipas tij i trajtojnë sikur sapo kanë mbërritur.
Një tjetër shqiptar, Niko L., i cili kishte shkuar në Greqi në adoleshencë, ngriti shqetësimin për emigrantët e brezit të parë që tashmë janë në moshë të madhe.
Sipas tij, shumë prej tyre nuk tentojnë as të futen në provime, pasi kanë frikë se nuk do të arrijnë t’i kalojnë pavarësisht viteve të gjata të jetesës në Greqi. Ai përmendi gjithashtu kostot e tarifave dhe kurseve përgatitore, si dhe mungesën e një procedure ankimi ndaj vlerësimit.
Përfaqësues të komunitetit theksojnë se familjet shqiptare kanë kontribuar prej dekadash në ekonominë dhe demografinë e zonës së Elassonës.
Ata vënë në dukje se shumë prej fëmijëve të tyre kanë lindur, janë shkolluar dhe kanë studiuar në Greqi, ndërsa disa kanë kryer edhe shërbimin ushtarak atje.
Kërkesa kryesore është që sistemi i provimeve për natyralizimin të marrë më shumë parasysh realitetin e emigrantëve që kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në Greqi. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






