Transmetuar më 05-10-2026, 16:07

Një lokal në pronësi të një shqiptari është sulmuar me granatë sot në orët e para të mëngjesit në rrugën Acharnon, në zonën Agios Panteleimonas të Athinës.

Sipas mediave greke që citon noa.al dy persona që lëviznin me motor iu afruan lokalit pak pas orës 04:00 dhe hodhën një granatë, e cila fatmirësisht nuk shpërtheu. Autorët u larguan menjëherë me shpejtësi.

Për rreth pesë orë zona qëndroi e bllokuar, derisa ekspertët e ushtrisë greke larguan në mënyrë të sigurt granatën.

Ky nuk është sulmi i parë ndaj të njëjtit biznes. Më 8 shtator, lokali ishte bërë sërish objektiv, kur një person theu xhamin dhe hodhi një granatë brenda ambientit.

Po atë natë ishte sulmuar në mënyrë të ngjashme edhe një lokal tjetër në pronësi të një shtetasi sirian.

Hetimet janë marrë përsipër nga struktura kundër zhvatjeve e Policisë greke. Autoritetet po shqyrtojnë pistën se sulmet mund të lidhen me një skemë kriminale “mbrojtjeje”, ku pronarëve të bizneseve u kërkohen para në këmbim të sigurisë.

Hetuesit kanë në vëmendje edhe një të dënuar të njohur shqiptar, i cili ndodhet në burg dhe dyshohet se mund të përdorë persona të tjerë për sulme ndaj bizneseve. Megjithatë, deri tani policia nuk ka siguruar prova të mjaftueshme që ta lidhin atë drejtpërdrejt me sulmin e fundit.

Vetëm dy orë para hedhjes së granatës, policia kishte kryer një kontroll të papritur në lokal për të verifikuar praninë e personave të lidhur me grupe “mbrojtjeje”, por kontrolli nuk kishte dhënë rezultat. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit