

Një 35-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor “Shkolla të pastra”, i fokusuar në parandalimin dhe goditjen e shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.
Sipas Policisë së Tiranës, shtetasi me inicialet A. K. u kap në flagrancë në zonën e Kombinatit, pranë perimetrit të sigurisë së një shkolle. Gjatë kontrollit fizik dhe më pas në banesën e tij, policia thotë se gjeti mbi 1 kilogram Cannabis Sativa, një sasi kokaine, tre peshore elektronike, dy telefona celularë dhe një shumë parash, e dyshuar se ishte përfituar nga shitja e lëndëve narkotike në doza.
Nga veprimet hetimore dhe informacionet e siguruara, sipas Policisë, dyshohet se 35-vjeçari tentonte të shiste lëndë narkotike në afërsi të shkollave, si dhe në ambiente të tjera në zonën e Kombinatit.
Operacioni u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar dhe rrethanat e rastit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






