

KORÇË — Një rast i dyshuar helmimi te një grup fëmijësh në kopshtin nr. 2 në qytetin e Korçës ka shkaktuar shqetësim të madh te prindërit dhe familjarët e të vegjëlve.
Mëngjesin e së hënës, prindërit kërkuan më shumë qartësi nga institucionet përkatëse dhe kontrolle të shtuara për sigurinë e ushqimit dhe higjienës, duke deklaruar se nuk kanë marrë informacione zyrtare nga drejtuesit e kopshtit gjatë ditëve të fundit. Ditën e sotme, drejtuesit e kopshtit u kanë komunikuar prindërve se simptomat e shfaqura mund të jenë pasojë e një viroze stinor.
Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka kryer monitorimin e ambienteve të kopshtit, ku paraprakisht kushtet higjieno-sanitare kanë rezultuar brenda standardeve. Analizat e para bakteriologjike të mostrave të marra nga uji dhe ushqimi nuk kanë evidentuar ndotje.
Në kuadër të hetimeve, edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra ushqimore për t’i analizuar pranë ISUV-it. Rezultatet e këtyre analizave pritet të përcaktojnë shkakun e plotë të problemeve shëndetësore të shfaqura te fëmijët.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






