Transmetuar më 05-10-2026, 13:48

IRKUTSK — Një ngjarje e mbështjellë me mister ka ngritur shqetësime në Rusi pas vdekjes së 28-vjeçares Daria Shipilova, studiuese në Institutit Anti-Pestë në Irkutsk të Siberisë, e cila humbi jetën si pasojë e një forme të rëndë pneumonie.

Rasti ka nxitur dyshime për një incident të mundshëm biologjik në laborator. Sipas raportimeve të mediave ruse, më 27 shtator studiuesja dyshohet se ka thyer aksidentalisht një provëz me material biologjik të lidhur me bakterin e murtajës, Yersinia pestis.

Megjithatë, autoritetet zyrtare kanë mohuar praninë e një aksidenti laboratorik. Autoriteti sanitar rus Rospotrebnadzor deklaroi se nuk ka pasur asnjë incident gjatë manipulimit të mikroorganizmave patogjenë, ndërsa diagnoza zyrtare e regjistruar është "pneumoni me etiologji të panjohur".

Në kuadër të masave paraprake, rreth 200 persona që kanë pasur kontakt me studiuesen po i nënshtrohen monitorimit mjekësor. Sipas autoriteteve ruse, deri më tani asnjë prej tyre nuk ka shfaqur simptoma dhe të gjitha testet e kryera kanë rezultuar negative.

Pavarësisht deklaratave zyrtare, qëndrimet kontradiktore të autoriteteve lokale — të cilat fillimisht përmendën mundësinë e infektimit me murtajë — kanë rritur dyshimet mbi ngjarjen, ndonëse aktualisht nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për praninë e një shpërthimi të sëmundjes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit