

Ekstradohet nga Brazili, një shtetas i dënuar me 26 vjet burgim për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe homologëve në Brazil, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Brazili në Shqipëri, të shtetasit Artef Lekaj, 67 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër e ka dënuar me 26 vjet burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Ngacmimi seksual”, vendim i cili ka marrë formë të prerë nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Gjatë periudhës 2020-2021, shtetasi A. L. ka ngacmuar seksualisht një të mitur 10-vjeçare dhe ka abuzuar seksualisht me një tjetër të mitur, 15-vjeçare.

Artef Lekaj
Në 7 tetor 2024 Policia Federale arrestoi në João Pessoa, në shtetin Paraíba, këtë shtetas shqiptar 65-vjeçar, i dënuar me 26 vite burg për krim seksual.
CNN Brasil raportonte se arrestimi u krye në lagjen Manaíra, pas një mandati të lëshuar nga Gjykata Supreme Federale e Brazilit, me kërkesë të autoriteteve shqiptare dhe përmes Interpolit.
Pas ekstradimit nga Brazili, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ekzekutuan vendimin penal të Gjykatës së Apelit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






