Transmetuar më 05-10-2026, 10:04

Prishtinë, 5 tetor 2026 – Një numër qytetarësh janë mbledhur para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Protestuesit, të organizuar në kuadër të nismës “Jo në emrin tim”, kanë qëndruar pranë hyrjeve të Kuvendit që prej mbrëmjes së së dielës dhe u kanë bërë thirrje deputetëve të votojnë projektligjin. Në protestë janë bashkuar edhe studentë dhe të rinj.

Kërkesa e protestuesve është që projektligji të miratohet nga Kuvendi, ndërsa disa prej tyre kanë deklaruar se deputetët nuk duhet të largohen nga objekti pa e votuar atë.

Në mëngjesin e sotëm, Komisioni për Legjislacion e ka shqyrtuar projektligjin dhe e ka përkrahur atë në parim me votë unanime. Sipas Kuvendit të Kosovës, në mbledhje votuan në favor të tij të gjithë nëntë deputetët e pranishëm.

Pas shqyrtimit në komision, projektligji pritet të kalojë për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit, ku është vendosur si pika e parë e rendit të ditës.

Protestës i është bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kryetari i saj, Hysni Gucati, ka deklaruar se situata mund të përshkallëzohet nëse projektligji nuk miratohet.

Protestat zhvillohen në një klimë të tensionuar politike dhe shoqërore në Kosovë, pas vendimeve të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilat kanë shkaktuar reagime dhe tubime të shumta në vend.

Ndryshimet e propozuara në ligj janë bërë pjesë e debatit publik dhe politik në Kosovë, ndërsa sot vëmendja është përqendruar te Kuvendi, ku pritet të zhvillohet procedura parlamentare për projektligjin.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit