

Lihet i lirë 47-vjeçari nga qendra e Gjadrit, gjykata italiane refuzon zgjatjen e qëndrimit në Shqipëri
Kishte hyrë ligjërisht në Itali, kishte punuar me kontratë dhe jetonte me motrën e tij shtetase italiane. Gjykata e Romës refuzoi zgjatjen e mbajtjes së 47-vjeçarit në qendrën e Gjadrit dhe urdhëroi lirimin e tij
Romë – Jo vetëm emigrantë të paligjshëm që zbarkojnë në bregdetin italian, por edhe persona që kanë hyrë në mënyrë të rregullt dhe kanë jetuar me vite, po dëbohen duke u mbajtur në Gjadër me synim final riatdhesimin.
Kjo po ndodh me emigrantët në Itali dhe orët e fundit media italiane raportoi rastin flagrant të një 47-vjeçari me shtetësi marokene i cili është liruar nga qendra e Gjadrit në Shqipëri, pasi një gjyqtar në Romë refuzoi kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e mbajtjes së tij.
Vendimi u mor duke marrë në konsideratë faktin se burri kishte një motër me shtetësi italiane me të cilën kishte jetuar, kishte hyrë rregullisht në Itali dhe kishte punuar me kontrata të rregullta në sektorin e bujqësisë.
47-vjeçari, i mbrojtur nga avokati Stefano Afrune, kishte mbërritur në Itali që në vitin 2021 me vizë dhe kishte punuar në zonat e Veronës dhe Vicenzës.
Ai kishte jetuar me motrën e tij, shtetase italiane, në Colonia Veneta, në provincën e Veronës.
Gjatë seancës, e zhvilluar në distancë me lidhje nga qendra e Gjadrit, 47-vjeçari deklaroi gjithashtu se dëshironte të kërkonte mbrojtje ndërkombëtare.
Gjykatësi vlerësoi se bashkëjetesa e dokumentuar me motrën italiane mund të përbënte një element që pengon dëbimin e tij. Në vendim është evidentuar gjithashtu se burri nuk kishte precedentë penalë dhe se kishte hyrë e punuar në mënyrë të rregullt në Itali.
Autoritetet policore italiane kishin kërkuar zgjatjen e qëndrimit të tij në qendrën e Gjadrit, pasi konsullata marokene nuk kishte lëshuar ende dokumentin e nevojshëm për riatdhesimin.
Gjykatësi e rrëzoi kërkesën dhe urdhëroi vijimin e procedurave që lidhen me vullnetin e 47-vjeçarit për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






