

BRUKSEL – Komisioni Evropian po shqyrton një plan të ri strategjik i cili mund t’u mundësojë Shqipërisë dhe Malit të Zi të emërojnë komisionerët e tyre në Bruksel përpara se të anëtarësohen zyrtarisht në Bashkimin Evropian.
Nisma, e raportuar nga media belge “Rapporteur” dhe e paralajmëruar gjatë vizitës së presidentes së KE-së Ursula von der Leyen, synon të përfshijë më nga afër vendet kandidate në vendimmarrjen politike evropiane gjatë kohës që 27 shtetet anëtare kryejnë procedurat e gjata të ratifikimit kombëtar.
Në dokumentin e publikuar nga media belge citohet qëndrimi i ekzekutivit evropian:
“Komisioni Evropian e konsideron të justifikuar mundësinë që një vend që po anëtarësohet në union duhet të emërojë një Komisioner gjatë kësaj periudhi.”
Më tej, dokumenti sqaron funksionin dhe statusin e përfaqësuesve të rinj në strukturat e BE-së:
“Një komisioner i tillë mund të marrë pjesë në punën e Kolegjiumit për çështje relevante, duke ruajtur plotësisht autonominë, kolegjialitetin dhe përgjegjësinë kolektive të këtij organi drejtues të BE-së.”
Vendosja e komisionerëve përpara anëtarësimit të plotë përbën një precedent të paprecedentë në historinë e Bashkimit Evropian. Paralelisht me këtë masë, Komisioni Evropian planifikon t’u ofrojë vendeve kandidate integrim më të thellë në tregun e përbashkët paralel me ecurinë e reformave të brendshme.
Detajet e plota të kësaj strategjie të re të zgjerimit pritet të paraqiten zyrtarisht të martën në Bruksel nga komisionerja Marta Kos.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






