

SHBA – Agjencia hapësinore amerikane NASA u ka kërkuar kompanive dhe partnerëve të saj të përgatiten për ndërtimin e një reaktori bërthamor që do të funksionojë në sipërfaqen e Hënës, pranë polit të saj jugor, pa pasur nevojë për mirëmbajtje. Objektivi i SHBA-së është që ky sistem të jetë gati për t’u dërguar në Hënë brenda dhjetorit të vitit 2030.
Kjo nismë shihet si pjesë e një gare gjithnjë e më të ashpër hapësinore mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Nga ana e saj, Rusia synon të vendosë në funksionim një reaktor hënor deri në vitin 2036, në kuadër të bashkëpunimit të saj strategjik me Kinën.
Përdorimi i energjisë bërthamore konsiderohet një element kyç për ngritjen e bazave të përhershme hënore, pasi garanton furnizim të pandërprerë me energji edhe gjatë periudhave të gjata pa dritë dielli. Veç kësaj, fuqitë e mëdha synojnë të shfrytëzojnë burimet natyrore të Hënës, përfshirë akullin e ujit, si dhe ta përdorin atë si një pikënisje për misione më të largëta në Sistemin Diellor.
Pavarësisht përfitimeve teknologjike, ekspertët e fushës tërheqin vëmendjen mbi rreziqet e larta që bart vendosja e teknologjisë bërthamore në hapësirë, veçanërisht në rast aksidenti gjatë fazës së lëshimit ose gjatë qëndrimit në sipërfaqen e Hënës.
Rusia gëzon një përvojë të gjatë historike në këtë sektor, pasi ka dërguar më shumë se 30 reaktorë bërthamorë në orbitë gjatë viteve 1970 dhe 1980. Në krahun tjetër, ndonëse SHBA ka zhvilluar programe të shumta për energjinë bërthamore hapësinore, nuk ka vendosur asnjë reaktor tjetër operativ në hapësirë që prej vitit 1965.
Zhvillimi i reaktorëve hënorë po shndërrohet kështu në një nga pikat kryesore të konkurrencës strategjike globale për kontrollin e pranisë njerëzore dhe eksplorimin e mëtejshëm të hapësirës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






