

DUBAI – Pak më shumë se një orë pas incidentit dramatik në bordin e fluturimit të kompanisë "Flydubai" nga Dubai drejt Tel Avivit, në rrjetet sociale nisën të përhapeshin teori konspirative që pretendonin se ngjarja ishte e inskenuar nga Izraeli.
Sipas një hulumtimi të qendrës CAM për studimin e antisemitizmit, brenda 12 orëve të para në platformën X u publikuan afërsisht 3 mijë postime që ia atribuonin incidentin Izraelit, shërbimit sekret Mossad, apo kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Në veçanti, një postim nga influencuesi amerikan i ekstremit të djathtë, Jackson Hinkle, e paraqiti ngjarjen si një operacion të inskenuar, duke grumbulluar më shumë se 2.4 milionë shikime.
Pretendimet e përhapura në internet varionin nga supozimi se Netanyahu e dinte paraprakisht për ngjarjen, e deri te pretendimet se numri i fluturimit fshihte mesazhe simbolike, apo se mungesa e aktivizimit të maskave të oksigjenit përbënte provë se ngjarja nuk kishte ndodhur.
Gjithashtu, në rrjet qarkulloi edhe një video e falsifikuar me logon e mediat BBC, e cila aludonte për përfshirjen e inteligjencës indiane dhe asaj izraelite.
Megjithatë, faktet e konfirmuara nga autoritetet zyrtare rrëzojnë pretendoimet për inskenim. Kompania "Flydubai" konfirmoi përplasjen e dhunshme në kabinën e pilotëve, ndërsa prokurori i përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi zyrtarisht se bashkëpiloti kishte tentuar të kryente një akt terrorist, duke sulmuar kapitenin me një sëpatë emergjence për të marrë kontrollin e mjetit fluturues.
Nga hetimet e deritanishme, i dyshuari është identifikuar si Hammam al-Hammami, shtetas nga Omani. Mësohet se ai holdshte larguar më parë nga detyrat e fluturimit në kompaninë "Oman Air" për shkak të pikëpamjeve të tij radikale, përpara se të punësohej nga "Flydubai".
Ndërkohë, autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ato izraelite po vijojnë hetimet për të sqaruar se si i dyshuari kaloi kontrollet e sigurisë dhe u caktua në linjën drejt Tel Avivit, si dhe për të përcaktuar nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë në këtë ngjarje. Ynet
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






