

PRISHTINË – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se të hënën në seancën e Kuvendit të Kosovës pritet të procedohet projektligji për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Hamza u shpreh optimist se nisma do të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve.
Lidhur me qëndrimin e partisë së tij për zhvillimet politike dhe votimin e projektligjit, Hamza deklaroi:
“Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë të jemi pjesë e qeverisë por nuk jemi të mbyllur dhe përjashtues për t’i dhënë vendit president. Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji.”
Kryetari i PDK-së e cilësoi projektligjin si të rëndësishëm për procesin e drejtësisë, duke nëvizuar se iniciativa synon adresimin e procedurave në Dhomat e Specializuara.
“Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë,” tha ai.
Duke kritikuar ecurinë e deritanishme të proceseve gjyqësore në Hagë, Hamza theksoi mungesën e kontrollit dhe llogaridhënies:
“Kemi parë mungesë transparence, mungesë llogaridhënie, mungesë mbikëqyrje, dhe kemi një vendim të padrejtë. Një vendim ku gjykohet historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës.”
Më tej, ai sqaroi se synimi është që shkalla e dytë e gjykimit të garantojë vendime të bazuara në fakte juridike:
“Ne po duam me vazhdu me besu në drejtësi. Dhe për këtë qëllim, Apeli do të fillohet brenda Dhomave të Specializuara, në kuadër të Dhomave të Specializuara, dhe ne presim që të ketë një vendim të drejtë, bazuar në fakte, në prova, jo thashetheme.”
Lidhur me ngritjen e akuzave për sipërmarrje kriminale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hamza u shpreh:
“Nuk mundet dhe nuk qëndron ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale’, ata njerëz janë të pafajshëm. Nuk munden të gjykohen njerëzit për krime që s’i kanë bërë. Krimet duhet të faktohen.”
Ai nënvizoi se qëndrimi i tij nuk mohon të drejtat e viktimave apo hetimin e krimeve të luftës:
“Nuk jemi kundër asaj na që viktimat kërkojnë të drejtën e tyre. Nuk jemi kundër asaj na që krimet të hulumtohen, të faktohen, të provohen deri në fund. Deri në fund.”
Në përfundim të fjalës së tij, kryetari i PDK-së sqaroi se ndryshimet e propozuara nuk synojnë zhbërjen e institucionit gjyqësor, por kornizimin e tij ligjor:
“Ne nuk po e shpërbëjmë Gjykatën apo Dhomat e Specializuara, por po vendosim mekanizma, po e vendosim, po e kthejmë brenda normave juridike dhe ligjore.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






