Transmetuar më 04-10-2026, 21:31

PRISHTINË – Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka njoftuar në natën e 19-të të tubimit se protestuesit do ta kalojnë të gjithë natën në shesh përpara godinës së Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës ditën e hënë në orën 08:00 në sheshin "Skënderbeu", përpara nisjes së seancës plenare ku pritet të shqyrtohet në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Seanca është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për në orën 09:00.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haziri deklaroi:

“Sonte qëndrojmë para dyerve të Kuvendit.

Pa dallime partiake. Bashkë për një kërkesë: VOTOJENI LIGJIN!

Nga ora 08:00 e mëngjesit, i bëjmë thirrje secilit qytetar të na bashkohet në sheshin Skënderbeu.

UÇK-ja është historia jonë. Identiteti ynë. Liria jonë.

NESËR, ORA 08:00 në mëngjes

TË GJITHË NË SHESHIN SKËNDERBEU

JO NË EMRIN TIM”

Organizatorët kërkojnë kalimin e ndryshimeve ligjore për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe paralajmërojnë prani masive të qytetarëve përpara nisjes së punimeve parlamentare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit