

UKRAINË – Rusia ka paralajmëruar për një përshkallëzim të mëtejshëm të sulmeve ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa Moska zyrtare u ka bërë thirrje diplomatëve dhe shtetasve të huaj të largohen menjëherë nga vendi për shkak të atij që e cilësoi si "rrezik vdekjeprurës".
Ministria e Jashtme ruse deklaroi se përgjegjësia për çdo pasojë do të bjerë mbi ata që nuk i respektojnë paralajmërimet e dhëna.
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri me dije se Moska po përgatitet të zgjerojë fushatën ajrore ndaj objektivave civile në mbarë vendin.
Lidhur me planin e sulmeve ruse, Zelensky deklaroi:
“Ne pamë dokumentet dhe e dimë se ato u lejojnë atyre të sulmojnë infrastrukturën, logjistikën dhe, veçanërisht, të sulmojnë në qytete, në fshatra, kudo, rrugë, shkolla, spitale. Qëllimi është t’i bëjnë njerëzit të largohen nga kryeqyteti dhe nga qytete të ndryshme.”
Presidenti ukrainas paralajmëroi se Kievi do t’u përgjigjet goditjeve ruse duke synuar veçanërisht objektet energjetike dhe rafineritë e naftës që financojnë luftën, duke garantuar se nuk do të goditen objektiva civile.
Në një tjetër zhvillim rajonal, Moldavia thirri në ministri ambasadorin rus pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës së saj ajrore nga dronët dhe raketat. Presidentja Maia Sandu u shpreh se lufta ruse në Ukrainë po përhapet në mënyrë të rrezikshme edhe drejt territorit moldav.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






