

KINË – Gjykata e Apelit në provincën Guangdong të Kinës ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për dënimin me vdekje të shtetasit shqiptar Klaudio Kanani, i akuzuar për trafikimin e 1 ton droge të nisur nga Hong Kongu.
Në një prononcim për median, zëdhënësi i gjykatës konfirmoi se në qendrën e paraburgimit në Guangzhou, Kananit i është komunikuar lënia në fuqi e vendimit të shkallës së parë të qershorit 2025, i cili e dënon atë me 25 vite burgim. Për dy shtetas kinezë të bashkakuzuar në këtë dosje gjykata vendosi ekzekutim me varje, ndërsa për dy të tjerë ekzekutim me pushkatim publik.
Në një video-azhornim të siguruar nga vendi i vuajtjes së dënimit, i riu me origjinë nga Tepelena u shpreh:
“Mos u bëni merak, jam mirë më shëndet. Më ka marrë malli për juve. Unë këtu jam mirë por normal si në burg. Juve mos u shqetësoni për asnjë gjë sepse unë nuk është se kam probleme jam mirë.”
Shpëtimi nga dënimi kapital erdhi pas përpjekjeve diplomatike të ndërmarra nga autoritetet shqiptare gjatë vitit të kaluar. Tashmë që vendimi i Apelit ka marrë formë të prerë, familja e Kananit i ka bërë thirrje institucioneve shqiptare për nisjen e procedurave të transferimit mbi bazën e marrëveshjes së reciprocitetit, me qëllim që 33-vjeçari ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






