Transmetuar më 04-10-2026, 17:49

SPANJË – Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje katastrofike në Madrigueras, në juglindje të Spanjës, duke shkaktuar një viktimë dhe dëme të shumta materiale.

Viktima është një grua 102-vjeçare, e cila u gjet e pajetë brenda banesës së saj, ku niveli i ujit kishte kaluar lartësinë prej një metri. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës kanë realizuar operacione të shumta për shpëtimin e rreth 90 personave të cilët mbetën të bllokuar në banesa, ambiente biznesi dhe automjete.

Situata u përkeqësua gjatë ditës së premte, kur në këtë zonë u regjistruan 142 litra reshje për metër katror brenda vetëm dy orësh e gjysmë. Uji përfshiu me shpejtësi rrugët e qytetit, duke marrë përpara automjete e duke shkaktuar dëme të mëdha. Qendra e emergjencave 112 në Castilla-La Mancha regjistroi mbi 150 thirrje për ndihmë.

Gjatë ditës së shtunë, forcat zjarrfikëse, policia, Mbrojtja Civile dhe banorët lokalë kanë vijuar punën në terren për largimin e baltës dhe mbeturinave. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe konfirmoi ndjekjen e situatës nga qeveria, ndërsa autoritetet rajonale kanë njoftuar se do të kërkojnë shpalljen e zonës si zonë e prekur rëndë nga fatkeqësia natyrore për të mundësuar lëvrimin e ndihmave shtetërore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit