

PRISHTINË – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për ditën e hënë, më 5 tetor, një seancë plenare në orën 09:00, ku si pikë e parë e rendit të ditës është caktuar shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përpara nisjes së seancës, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion i udhëhequr nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, do të mblidhet për të shqyrtuar aspektet juridike, përputhshmërinë me Kushtetutën dhe procedurat parlamentare.
Nisma ligjore është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Projektligji i propozuar nga PDK-ja parashikon ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, mundësinë e kalimit të rasteve jashtë juridiksionit të tyre te gjykatat në Kosovë, ankesat në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, vuajtjen e dënimeve brenda territorit të Kosovës, si dhe mundësinë e faljes presidenciale.
Qeveria e Kosovës ka dhënë mendim pozitiv për nismën, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore apo buxhetore. Ky zhvillim vjen në një moment kritik politik, pasi më 6 tetor përfundon afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri, dështimi i të cilit dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme.
Lidhur me kushtëzimin e votave të PDK-së për postin e kryetarit të shtetit me miratimin e këtij ligji, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u shpreh:
“Vazhdimisht po e tregosh, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e ta gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin.”
Këto ndryshime ligjore trajtohen në Kuvend ndërkohë që në Kosovë vijojnë protestat e përnatshme qytetare me moton “Jo në emrin tim” kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






