

TIRANË – Partia Demokratike ka propozuar zyrtarisht ndryshime në kodin zgjedhor për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke kërkuar rikthimin e sistemit të balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive si dhe aplikimin e listave 100% të hapura për këshillat bashkiakë.
Sipas propozimit të demokratëve, një kandidat për kryetar bashkie do të mund të shpallet fitues që në raundin e parë vetëm nëse arrin të marrë më shumë se 50% të votave të vlefshme. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk e kalon këtë prag, gara do të kalojë në raundin e dytë balotues mes dy kandidatëve më të votuar.
Lidhur me këtë nismë ligjore, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi argumentoi se kjo reformë siguron që drejtuesit lokalë të gëzojnë mbështetjen e shumicës reale të qytetarëve dhe të shmanget zgjedhja e tyre me shumicë relative në kushtet e fragmentimit të votës.
Në një intervistë të dhënë për mediat, Oerd Bylykbashi deklaroi:
“Një kryetar bashkie nuk duhet të jetë i forcës politike; duhet të jetë i qytetarëve. Dhe një kryetar bashkie që zgjidhet me një shumicë të thjeshtë relative, me 20-30% apo 30% të votave, sepse votat fragmentohen, nuk përfaqëson shumicën dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve që kërkojnë të zgjedhin në hallin e tyre. Unë vetë do të çoj përpara idenë e hapjes së listave 100% për sa u përket këshillave vendorë. Sigurisht që e komplikon procesin e KQZ-së, por rrit demokracinë në raport me mundësinë e zgjedhësve për të votuar.”
Paralelisht me balotazhin, PD këmbëngul edhe për kalimin në lista të hapura pa asnjë kufizim për anëtarët e këshillave bashkiakë, me qëllim që zgjedhësve t’u jepet e drejta e votimit të drejtpërdrejtë për përfaqësuesit e tyre në nivel lokal.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






